Asistenca e Jashtme
Një bashkërendim më i madh i ndihmës së huaj me përparësitë strategjike kombëtare dhe procesin e planifikimit të buxhetit është objektivi kryesor i Sistemit të ri të Planifikimit të Integruar (SPI) të Qeverisë Shqiptare, miratuar në nëntor 2005 si një grup parimesh operative për të siguruar realizimin në një mënyrë koherente, efikase dhe të integruar të politikave qeveritare, planifikimit dhe zbatimi të tyre. Efikasiteti i menaxhimit të ndihmës së huaj ka qenë një shqetësim i qeverisë dhe donatorëve që operojnë në Shqipëri për shumë vite dhe përpjekjet për ta trajtuar këtë çështje kanë kaluar nëpër ciklet e strukturimit institucional dhe të përmirësimit të procesit.
Pronësia dhe roli i Qeverisë në koordinimin e ndihmës së huaj ka arrdhur duke u rritur qysh nga themelimi në vitin 2005 i Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së huaj (DEBASKON). Roli qendror koordinues i DEBASKON-it është të sigurojë lidhje organike midis politikave kryesore të ndihmës së huaj dhe proceseve financiare të qeverisë.
Nga bashkërendimi i ndihmës së huaj në Shqipëri, DEBASKON-i i ofron qeverisë një pikë kontakti dhe orientimi për donatorët në lidhje me çështjet strategjike siç përcaktohet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, duke përforcuar kështu rolin udhëheqës të Qeverisë në këtë proces.
Ky orientim ndikon si në balancimin e ndihmës në të gjithë sektorët ashtu edhe në qasjen e ndërmarrë nga ndihma e huaj brenda sektorëve, ndihmon donatorët në programimin e ndihmës dhe në përcaktimin dhe menaxhimin e projekteve duke siguruar bashkërendimin e investimeve vendase me ndihmën e huaj.
DEBASKON-i njihet me programe të ndryshme të donatorëve dhe siguron ekspertiza me instrumenta të ndryshme të ndihmës së huaj (p.sh. grantin kundrejt rregullimeve të kreditit, qasje fondesh të grumbulluara) me një synim: të arrihet një përputhje sa më e efektshme midis përparësive qeveritare për ndihmë të huaj dhe programeve/instrumenteve të ndihmës shumë/dypalëshe të donatorëve.
Sekretariati Teknik i Donatorëve është themeluar me qëllim që të lehtësojë një dialog të konsoliduar mes donatorëve dhe mes donatorëve dhe qeverisë. STD, fillimisht i përbërë nga katër donatorë shumë-palësh (KE, OSBE, UNDP, Banka Botërore), që prej 2008 është zgjeruar me dy donatorë dy-palësh (Gjermania dhe Holanda), anëtarësimi i të cilëve do të jetë me rotacion vjetor. STD-ja dhe DEBASKON-i punojnë ngushtë në organizimin e ngjarjeve të përbashkëta.
DEBASKON-i po udhëheq hartimin dhe zhvillimin e dy sistemeve të informacionit në mbështetje të mandatit të tij shumë-funksionësh për planifikim strategjik, analiza politike, monitorim, vlerësim dhe koordinim të ndihmës së huaj: Sistemi i Informacionit për Sistemin e Planifikimit të Integruar (SISPI) dhe Sistemi i Informacionit për Menaxhimin e Ndihmës së huaj (SIMNH) janë të lidhura me sistemin e PBA-së dhe atë të Thesarit.