SPI

Në nëntor të vitit 2005, Qeveria Shqiptare miratoi Sistemin e Planifikimit të Integruar (SPI), një grup parimesh operative që siguron realizimin, në mënyrë sa më të efektshme dhe të harmonizuar, të planifikimit dhe monitorimit të politikave të qeverisë në tërësi.

Lexo më shumë...

skzhi

Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-20013 përfaqëson dokumentin themelor strategjik për një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik të vendit, i ndërthurur me programin për integrim në BE dhe në strukturat e NATO-s, dhe zbatimin e Objektivave të Mijëvjeçarit

Lexo më shumë...

Ndihma e Huaj

Nga bashkërendimi i ndihmës së huaj në Shqipëri, DEBASKON-i i ofron qeverisë një pikë kontakti dhe orientimi për donatorët në lidhje me çështjet strategjike siç përcaktohet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, duke përforcuar kështu rolin udhëheqës të qeverisë në këtë proces.

Lexo më shumë...
Faqe Kryesore - DEBASKON

DEBASKON-Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj

Misioni ynë

Misioni i departamentit është të ndihmojë Qeverinë Shqiptare në detyrën e saj për të siguruar bashkërendimin e politikave në nivel strategjik, në kuadër të Sistemit të Planifikimit të Integruar, duke rritur kështu efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien.

 

Drejt një Sistemi Planifikimi tërësisht të Integruar

Në dhjetor të vitit 2005, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë (KM) krijoi zyrtarisht Departamentin e Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj (DEBASKON) si pjesë përbërëse e strukturës së tij organizative. DEBASKON-i është në themel të reformave modernizuese të ndërmarra nga Qeveria. Qëllimi kryesor i krijimit të Departamentit është sigurimi i koherencës dhe menaxhimi me efikasitet i proceseve strategjike (deri në atë kohë) të shkëputura të Qeverisë mbi planifikimin dhe programimin e buxhetit; dhe orientimi i ndihmës së huaj në përparësitë kombëtare. Veçoria kryesore e këtyre reformave u bë lidhja midis përparësive strategjike kombëtare afatmesme dhe afatgjata dhe procesit të projekt-buxhetit dhe shpërndarjes së burimeve, duke siguruar që ndihma e huaj të orientohej drejt përparësive kombëtare. Në kuadër të krijimit të Sistemit të Planifikimit të Integruar, DEBASKON-i ishte shtysa kryesore në ripërcaktimin dhe harmonizimin e këtyre proceseve thelbësore bazuar në hamendësimin se cilësia dhe koherenca e tyre do të ndikojnë në aftësinë e Qeverisë për të arritur objektivat e saj politike dhe për të mbajtur premtimet përpara publikut. Përmes rolit të tij kryesor në zbatimin e SPI-së, DEBASKON-i ka për detyrë të sigurojë që përparësitë e Qeverisë dhe kërkesat për integrim në BE dhe në NATO të pasqyrohen në mënyrë të plotë në të gjitha proceset kryesore të planifikimeve financiare dhe politikave të qeverisë dhe t’u komunikohen të gjithë të interesuarve. DEBASKON-i përgatit dhe mundëson gjithashtu punimet e Komiteteve të Planifikimit Strategjik dhe Modernizimit të Qeverisë në përputhje me kalendarin vjetor të SPI-së. Departamenti punon me Ministrinë e Financave për të siguruar që Programi Buxhetor Afatmesëm dhe buxheti vjetor të pasqyrojnë përparësitë strategjike të Qeverisë, dhe me Ministrinë e Integrimit Evropian për të garantuar që përparësitë për Integrimin Evropian të jenë pjesë përbërëse e të gjitha proceseve qeveritare. DEBASKON-i udhëhoqi përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) 2007-2013, e cila u ndoq nga një proces i gjerë këshillimi që përfshiu përfaqësues kryesorë nga qeveria, sektori privat, shoqëria civile dhe donatorët. Përpara përgatitjes së SKZHI-së, DEBASKON-i bashkërendoi procesin e zhvillimit të strategjive sektoriale dhe ndërsektoriale nga ministritë e linjës që qe kontributi kryesor paraprak për krijimin e SKZHI-së. Futja e një mekanizmi monitorues në zbatimin e strategjive sektoriale dhe ndërsektoriale të SKZHI-së është një sfidë e re për DEBASKON-in. Këto mënyra të reja monitorimi do t’i shtohen Raportit Vjetor mbi Progresin e SKZHI-së, që raporton rezultatet e arritura vit pas viti krahasuar me një sërë treguesish të nivelit të lartë. Departamenti siguron gjithashtu udhëheqje dhe orientim për ministritë e linjës për përgatitjen e Planeve të Integruara të Ministrive dhe Raporteve Vjetore të Rezultateve. Njësia e Koordinimit të Ndihmës së Huaj e DEBASKON-it është një ‘pikë fokale’ për donatorët përsa i përket çështjeve strategjike në lidhje me dhënien e ndihmës së huaj. Si e tillë, ajo është përgjegjëse për organizimin e aktiviteteve të mëdha koordinuese si tryezat e rrumbullakëta të Qeverisë me donatorët dhe Grupin e Ndihmës së SPI-së, që është një bord këshillues në nivel përcaktimi të politikave. Departamenti, në bashkëpunim me Sekretariatin Teknik të Donatorëve, ka krijuar tashmë një sistem kompjuterik të dhënash bazë, që përmban të dhënat për të gjithë donatorët aktivë që kanë punuar që prej vitit 1994; përfshirë informacionin mbi shlyerjen e ndihmës së huaj. Bashkë me Ministrinë e Financave, DEBASKON-i bashkë-udhëheq negociatat me donatorët mbi kushtet e bazuara në politika për huatë/kreditë dhe merr pjesë në negociatat e drejtuara nga Ministria e Integrimit Evropian mbi programimin e NIP-së (Ndihmës së Planifikimit të Integruar). Në bashkëpunim me donatorët dhe ministritë e linjës, Departamenti krijoi 10 Grupe Pune Sektoriale, qëllimi i të cilave është të sigurojnë bashkërendimin në mënyrë efikase të ndihmës së huaj dhe të mbështesin objektivat strategjike sektoriale.

Arritja e rezultateve

DEBASKON-i e ka rritur rolin e tij drejtues në koordinimin e procesit të zbatimit të SPI-së. Rezultatet kryesore të aktiviteteve të DEBASKON-it përfshijnë:

  •  Finalizimi dhe miratimi nga Këshilli i Ministrave i Vendimit mbi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013;
  •  Këshillimi dhe finalizimi i Raportit të Progresit të SKZHI-së 2006-2007;
  •  Finalizimi i Planeve të Integruara të Ministrive dhe Planeve të Monitorimeve të Ministrive për vitet 2007 dhe 2008 në bashkëpunim me ministritë e linjës;
  •  Finalizimi i Dokumentit të Orientimit të Ndihmës së Huaj, që është i lidhur me përparësitë e SKZHI-së;
  •  Hartimi i raportit të progresit të ND-së për vitin 2008;
  •  Finalizimi i Raportit Analitik OECD DAC për vitin 2006 dhe 2008, në bashkëpunim me STD-në;
  •  Realizimi i Marrëveshjes Strukturore dhe protokolleve të Bashkëpunimit me donatorët;
  •  Organizimi 2 herë në vit në vendin tonë i dy tryezave të rrumbullakëta të qeverisë me donatorët; i tetë takimeve periodike të Komiteteve të Planifikit Strategjik; i katër takimeve të grupit të ndihmës së SPI-së dhe i një sërë takimesh me donatorët në nivel sektorial;
  •  Pjesëmarrje në Forumin Accra të Nivelit të Lartë mbi Efikasitetin e Ndihmës dhe angazhim në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit të Accra-s;
  •  Pjesëmarrje në Konferencën e Koordinimit të Donatorëve në Bruksel;
  •  Pjesëmarrje aktive në “Një Program i OKB-së” sipas të cilit Shqipëria është një shtet pilot.

Sfidat e së ardhmes

Duke qenë në një nivel të lartë të administratës publike, DEBASKON-i është mishërimi i vlerave bazë të shërbimit qytetar shqiptar, si llogaridhënia, transparenca, profesionalizmi, partneriteti, fleksibiliteti dhe risia. DEBASKON-i po përpiqet t’i rrisë vlerat cilësisë së vendimmarrjes së Qeverisë duke realizuar:

  • një proces qeveritar planifikimi të integruar dhe një sistem monitorimi më të harmonizuar dhe më funksional;
  • një ndërlidhje të plotë të strategjive sektoriale dhe ndërsektoriale të SKZHI-së dhe programit për Integrim Evropian me PBA-në;
  • një proces efikas të menaxhimit të ndihmës së huaj për të mbështetur përparësitë e qeverisë;
  • një vazhdimësi të sistemeve të monitorimit dhe vlerësimit si një element thelbësor që zhvillohet duke u bazuar në pikat e tij të forta dhe duke mësuar nga përvoja e zbatimit;
  • procese vendimmarrjeje dhe kuadër shtetëror të efektshëm që sigurojnë më shumë transparencë dhe llogaridhënie.

 

Shkarko broshurën e DEBASKON-it