Komiteti i Modernizimit të Qeverisë diskuton dhe percakton fushat e mbështetjes së Organizates se Kombeve të Bashkuara për programin e ri të vendit
Tiranë – 21 Dhjetor 2010 – Komiteti i Modernizimit të Qeverisë (KMQ), autoriteti më i lartë i politikave, koordinimit dhe vendim-marrjes së Qeverisë, u takua sot me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri për të diskutuar drejtimin strategjik dhe fushat e mbështetjes së OKB-së për periudhën 2012-2016.Mbledhja shërbeu edhe për analizën e kontributit të OKB-së ndaj axhendes kombetare të zhvillimit.
Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit dhe njëkohësisht Kryetari i KMQ-së, Z. Genc Pollo, në fjalimin e tij theksoi arritjet kryesore dhe mësimet e nxjerra nga Programi ekzistues “Një OKB”, që prej zanafillës së tij më 2007. Midis të tjerash ai theksoi: “Me përfundimin e programit ekzistues në fund të vitit 2011 mund të themi me besim të plotë se Nisma Një OKB ishte një sukses për Shqipërinë dhe tashmë nuk ka kthim prapa. Qeveria e Shqipërisë është tërësisht e angazhuar për vijueshmërinë dhe thellimin e mëtejshëm të reformës së OKB-së si në nivel vendi, edhe në nivel global. Arritja më e rëndësishme është se prioritetet e programit Një OKB janë tërësisht në linjë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013, si edhe me strategjitë sektoriale dhe ndërsektoriale. Programi ka kontribuar dhe ka mbështetur përpjekjet e Qeverisë në përgjigje të kërkesave për anëtarësim në BE, duke reflektuar faktin se ne jemi i vetmi vend pilot në procesin e integrimit Evropian. Ne vlerësojmë vizionin e ri dhe ndryshimet e konsiderueshme që solli Programi Një OKB nëpërmjet qasjes së “Të Katërve”: Një Drejtues, Një Program, Një Buxhet dhe Një Zë. Këto kanë kontribuar në përmirësimin e mëtejshëm të planifikimit strategjik dhe koordinimit të ndihmës së huaj, në përputhje me Deklaratën e Parisit dhe Programin për Veprim të Accras.”
Gjatë procesit të konsultimit për formulimin e Programit të ardhshëm të Bashkëpunimit OKB – Qeveria e Shqipërisë 2012 - 2016, i cili do të aprovohet nga Qeveria në 2011-n, anëtarët e KMQ-së mirëpritën vendimin e OKB-së për të vijuar me përgatitjen e Një Dokumenti për t’u nënshkruar me Qeverinë e Shqipërisë, duke zëvendësuar marrëvëshje specifike midis agjencive të ndryshme të OKB-së.
Ky është një hap i rëndësishëm në thellimin e reformës së OKB-së në nivel vendi. “Do të doja të theksoja rëndësinë e prioriteteve të qarta, të fokusuara dhe të artikuluara mirë, të cilat do të sigurojnë vijimin e programit të ardhshëm në të njëjtin nivel rëndësie sa ai i mëparshmi.” tha Z. Pollo.
Në fjalën e saj drejtuar anëtarëve të KMQ-së, Znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, falenderoi Ministrin Pollo dhe Qeverinë për lidershipin dhe angazhimin e treguar për zbatimin e programit ekzistues.
Në prezantimin e saj, Znj. Touimi-Benjelloun paraqiti fushat e mbështetjes së OKB-së dhe rezultatet e pritshme për Programin 2012-2016, si produkt i konsultimeve të gjera me një numer te madh partnerësh kombetare e nderkombetare, duke përfshirë anëtarët e KMQ-së. Fushat e propozuara për mbështetjen e OKB-së përfshijnë: qeverisje/ modernizim të administratës publike, ekonomi dhe mjedis, zhvillim rajonal dhe vendor dhe politika sociale gjithpërfshirëse.
Znj. Zineb Touimi-Benjelloun përfundoi duke falenderuar komunitetin e donatorëve të cilët kanë mbështetur programin ekzistues duke mbetur optimiste për vazhdimesinë e këtij partneriteti nën Programin e Bashkëpunimit OKB – Qeveria e Shqipërisë 2012-2016.
Programi i Bashkëpunimit OKB – Qeveria e Shqipërisë do të nënshkruhet në tetor 2011.