|
|
|
|
|
Organizohet më 3 dhjetor 2010 Tryeza e Rrumbullakët Qeveri-Donatorë e drejtuar nga Ministri për Inovacionin dhe TIK, z. Genc Pollo
Më 3 dhjetor 2010, Qeveria Shqiptare organizoi Tryezën e Rrumbullakët Qeveri-Donatorë, të drejtuar nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo dhe Ambasadorja e Zvicrës, znj. Yvana Enzler, si Kryetare e radhës e Sekretariatit Teknik të Donatorëve. Në takim morën pjesë zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe të komunitetit donator në Shqipëri. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, Ministri Pollo përmendi reformat e 6 muajve të fundit të Qeverisë në një sërë fushash dhe impaktin e tyre në zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në BE. “Vendimi i BE për të hequr vizat Schengen afatshkurtra për Shqipërinë -u shpreh Ministri Pollo, - është një hap historik për çdo qytetar shqiptar. Ky vendim është një sukses përsa i përket lirisë dhe dinjitetit të çdo shqiptari, por që gjithashtu shoqërohet me përgjegjësi të mëdha për të mos lejuar abuzimet me të.” Ndërsa për sa i përket opinionit dhe rekomandimeve të Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat, Ministri Pollo tha se “ Integrimi Evropian është prioriteti më i madh i Qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Opinioni i fundit i Komisionit Evropian është për qeverinë një program pune dhe tashmë ka filluar puna për trajtimin e sqarimin e çështjeve të ngritura në këtë raport.” Ministri Pollo theksoi gjatë fjalës së tij se Shqipëria është kthyer në një histori suksesi në luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër krimit, korrupsionit përfshirë edhe pastrimin e parave mbetet prioritet dhe komuniteti i donatorëve ka mbështetur Qeverinë me projekte të ndryshëm në forcimin e masave antikorrupsion. Në lidhje me Administratën Publike, Ministri tha se vizioni i Qeverisë është një administratë publike e vogël, efektive dhe e paanshme të bazuar në merita profesionale. Ministri Pollo theksoi gjithashtu se progres i konsiderueshëm është bërë veçanërisht në fushën e koordinimit dhe rritjes së efektivitetit të ndihmës së huaj me synim zbatimin e Axhendës së vendosur nga Deklarata e Parisit. Një provë konkrete e këtij progresi është zbatimi i Planit të Veprimit për Harmonizim, përfundimi me sukses i Vlerësimit të Sistemeve të Prokurimit, etj. Ambasadorja Enzler iu drejtua tryezës në emër të komunitetit të donatorëve dhe shprehu kënaqësinë e tyre lidhur me progresin e konsiderueshëm në drejtim të zbatimit të Sistemit të Integruar të Planifikimit, dhe vecanerisht prezantimit të mekanizmit të monitorimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013 të bazuar në matjen e performancës, i cili do të ndihmojë edhe në përputhjen më të mirë të asistencës së jashtme me prioritetet e qeverisë. Ajo theksoi nevojën për bashkëpunim të mëtejshëm midis qeverisë dhe donatorëve për një bashkërendim më të mirë të ndihmës financiare të ofruar nga BE për zgjerimin, me ndihmën e ofruar nga donatorët dy- dhe shumë-palësh, duke synuar përmbushjen e qëllimit kryesor për Shqipërinë, integrimin në BE. “ Unë dua të siguroj qeverinë shqiptare se të gjithë donatorët janë plotësisht të angazhuar në fuqizimin e partneritetit me qeverinë për përmbushur kërkesat e BE dhe në vazhdimësinë e realizimit të zbatimit të
axhendës për harmonizim”, tha ajo. Ambasadorja Enzler shtoi se donatorët shpresojnë që krahas përpjekjeve madhore të Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj për bashkërendimin e Grupeve Sektoriale të Punës, edhe ministritë e linjës të kenë një përqasje më aktive për zbatimin e Deklaratën e Parisit. Drejtorja e DEBASKON-it, znj. Valbona Kuko bëri një paraqitje të detajuar të ecurisë së zbatimit të Sistemit të Planifikimit të Integruar dhe progresit të procesit të monitorimit i bazuar në indikatorët e performancës të SKZHI-së, dhe theksoi se vendi tashmë ka arritur një stad ku kuadri strategjik është plotësuar dhe fokusi duhet të vendoset tek monitorimi. Znj. Kuko vlerësoi arritjen e punës së përbashkët mes qeverisë dhe komunitetit të donatorëve në përmirësimin e koordinimit të ndihmës së huaj nëpërmjet forcimit të rolit të Grupeve Sektoriale të Punës(GSP), si dhe në përqafimin dhe adoptimin e mekanizmave të rinj koordinues të cilat synojnë llogaridhënien dhe menaxhimin kundrejt rezultateve. Takimi konsiderohet me ndikim të madh në çështjet e koordinimit të donatorëve dhe shërben si një forum për të shkëmbyer informacion dhe për një dialog të hapur e konstruktiv në përmirësimin e efektivitetit të ndihmës së huaj në Shqipëri. |
Baza e te dhenave te Donatoreve |
Kërko |
|
Te gjitha te drejtat e rezervuara © 2009 Keshilli i Ministrave |





