Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim
Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013 (SKZHI) përfaqëson dokumentin strategjik themelor të vendit që harmonizon për herë të parë në një dokument të vetëm strategjik, perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror, integrimin në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, si dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. SKZHI-ja u finalizua në dhjetor 2007 dhe u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave nr 342 në 12 mars 2008. Përgatitja e SKZHI-së u udhëhoq nga parimi i pronësisë së qeverisë.
SKZHI-ja kristalizoi vizionin afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit të vendit në bazë të një procesi transparent dhe të hapur, i cili garanton përfshirjen e gjerë të shoqërisë civile, të qeverisjes vendore, të komunitetit të biznesit, të botës akademike dhe shkencore, të spektrit politik shqiptar dhe të grupeve të tjera të interesit. Zbatimi i SKZHI-së parashikon ndërtimin e politikës së analizës së kapaciteteve për të siguruar që qëllimet/objektivat e SKZHI-së të përkthehen në mënyrë të efektshme në politika konkrete dhe programe në nivel ministrie. SKZHI-ja informon procesin e buxhetimit afatmesëm, duke siguruar një udhëzim afatgjatë për shpërndarjen e burimeve në të gjithë planet afatmesme të shpenzimeve të sektorëve të ndryshëm. Lidhja e përcaktimit të buxhetit afatmesëm me përparësitë dhe qëllimet strategjike kombëtare afatgjata, në një proces të vetëm planifikimi strategjik, është objektivi kryesor i adoptimit të Sistemit të Planifikimit të Integruar (SPI) nga ana e Qeverisë Shqiptare. Përparësitë e SKZHI-së dhe procesi i PBA-së janë baza për programimin e Instrumentit të Para-pranimit (IPP) dhe ndihmave të tjera të huaja.
Procesi i konsultimit të SKZHI-së është kryer dhe drejtuar për herë të parë në Shqipëri nga DEBASKON-i, me synimin që të mblidhen komentet e palëve të interesuara, të identifikohen përparësitë strategjike dhe të sugjerohet shpërndarja e burimeve të ardhshme financiare. Janë organizuar Debate TV dhe seminare mbi këtë çështje. 37 strategji sektoriale dhe ndërsektoriale nga ministritë e linjës kanë dhënë kontribut thelbësor për SKZHI-në. Deri në fund të marsit 2009, janë miratuar 24 strategji nga Këshilli i Ministrave, 9 janë në proces për miratim nga Këshilli i Ministrave, 4 janë në procesin e përgatitjes.
Mekanizmi për monitorimin e zbatimit të SKZHI-së dhe të strategjive sektoriale dhe ndërsektoriale është konsoliduar. Ai do të zhvillohet më tej me përtëritjen e Grupeve Këshillimore për Strategjitë Sektoriale, me angazhimin e shoqërisë civile dhe të aktorëve të tjerë për monitorimin e zbatimit të përparësive të strategjive sektoriale dhe për të konsultuar treguesit e performancës, që do të pasqyrohen në kërkesat për buxhet të ministrive përkatëse. Grupi Kombëtar Këshillimor, përbëhet nga përfaqësues të çdo Grupi të veçantë Këshillimor dhe është organi kryesor i palëve të interesuara jo-qeveritare, që do të monitorojnë zbatimin e SKZHI-së.
Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) 2007-2013 dhe u miratua me Vendim të Këshillit të Ministrave në mars 2008. SKZHI bazohet në 37 strategji sektoriale dhe ndërsektoriale.
Shkarko Dokumentin
|