SPI

Në nëntor të vitit 2005, Qeveria Shqiptare miratoi Sistemin e Planifikimit të Integruar (SPI), një grup parimesh operative që siguron realizimin, në mënyrë sa më të efektshme dhe të harmonizuar, të planifikimit dhe monitorimit të politikave të qeverisë në tërësi.

Lexo më shumë...

skzhi

Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-20013 përfaqëson dokumentin themelor strategjik për një zhvillim të qëndrueshëm social-ekonomik të vendit, i ndërthurur me programin për integrim në BE dhe në strukturat e NATO-s, dhe zbatimin e Objektivave të Mijëvjeçarit

Lexo më shumë...

Ndihma e Huaj

Nga bashkërendimi i ndihmës së huaj në Shqipëri, DEBASKON-i i ofron qeverisë një pikë kontakti dhe orientimi për donatorët në lidhje me çështjet strategjike siç përcaktohet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim, duke përforcuar kështu rolin udhëheqës të qeverisë në këtë proces.

Lexo më shumë...
Faqe Kryesore - Lajme - Aktivitete

Tryeza e Rrumbullakët Qeveri-Donatorë e drejtuar nga Ministri i Shtetit z. Genc Pollo dhe Ambasadori i Mbretërisë së Hollandës në Shqipëri z. Henk Van den Dool, u organizua më 13 nëntor 2009

Një forum i rëndësishëm për dialog të hapur e konstruktiv mbi efektivitetin e ndihmës së huaj

 

drt200913 nëntor 2009, Qeveria Shqiptare organizoi Tryezën e Rrumbullakët Qeveri-Donatorë, të drejtuar nga Ministri i Shtetit z. Genc Pollo dhe Ambasadori i Mbretërisë së Hollandës në Shqipëri, shef i radhës i Sekretariatit Teknik të Donatorëve, z. Henk Van Den Dool. Në takim morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe të komunitetit donator në Shqipëri.

Në emër të Qeverisë Shqiptare, Ministri i Shtetit Z. Genc Pollo theksoi se pavarësisht se viti 2009 ishte një vit elektoral qeveria ka ruajtur ritmin e reformave dhe ka ndërmarrë iniciativa ambicioze. Z. Pollo bëri një paraqitje të reformave dhe arritjeve kryesore të shënuara që nga takimi i fundit i këtij niveli mbajtur në nëntor 2008, dhe progresit drejt Integrimit Evropian. Duke u ndalur në çështje të përmirësimit të koordinimit të ndihmës së huaj, ai nënvizoi se si vend nënshkrues i Deklaratës së Parisit për Efektivitetin e Ndihmës së Huaj, Shqipëria mbetet e angazhuar në parimet e kësaj deklarate si në “rritjen e rolit drejtues të qeverisë në orientimin e ndihmës së huaj drejt politikave dhe prioriteteve të saj”.

Në përshëndetjen e tij në emër të donatorëve, Ambasadori Henk Van Den Dool çmoi rolin efektiv të Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj si një “urë lidhëse” mes komunitetit donator dhe qeverisë. Ai vuri theksin në rritjen e rolit udhëheqës të ministrive të linjës në Grupet Sektoriale të Punës për t’i kthyer këto në forume në të cilat të diskutohen vizioni strategjik i Qeverisë dhe politikat operacionale dhe iniciohen programe me bazë sektoriale. Lëvizjet në administratën publike konsiderohen si një faktor me ndikim negativ për qëndrueshmërinë e kapaciteteve institucionale, të ngritura edhe me mbështetjen e konsiderueshme financiare dhe teknike të donatorëve.

Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Majlinda Bregu dhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan prezantuan çështje që lidhen me Integrimin Evropian pas aplikimit për statusin kandidat më 28 prill 2009. Znj. Bregu theksoi se qeveria po punon intensivisht për plotësimin e kushteve dhe kërkesave për të marrë statusin e kandidatit, si sfida më e madhe për vendin.

Ministri i Financave z. Ridvan Bode bëri një përshkrim të përgjithshëm të situatës makroekonomike dhe financiare në vend si duke theksuar rritjen ekonomike të qëndrueshme pavarësisht krizës financiare botërore.

Drejtorja e DEBASKON-it, znj. Valbona Kuko bëri një paraqitje të detajuar të ecurisë së zbatimit të Sistemit të Planifikimit të Integruar dhe vuri në dukje arritjet e punës së përbashkët mes qeverisë dhe komunitetit donator në përmirësimin e koordinimit të ndihmës së huaj nëpërmjet grupeve sektoriale të punës dhe prezantoi Planin e Veprimit të Harmonizuar në kuadër të zbatimit të Deklaratës së Parisit.

Në përfundim të takimit të pranishmit diskutuan mbi çështje konkrete dhe identifikuan hapat e mëtejshëm për të arritur progres edhe në të ardhmen.

 

Materialet e këtij takimi mund të shkarkohen këtu (fjalimet dhe prezantimi gjenden në anglisht):

Agjenda

Fjala e Ministrit të Shtetit Z.Genc Pollo

Fjala e Ambasadorit të Mbretërisë së Hollandës Z. Henk Van Den Dool

Fjala e Ministres së Integrimit Europian Znj. Majlinda Bregu Prezantim nga Drejtoresha e DEBASKON, Znj. Valbona Kuko

Fjala e Shefit të Delegacionit të KE-së, z. Helmuth Lohan Fjala e Ministrit të Financave Z. Ridvan Bode